Vendimi i marrë nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban mund të ndikojë, ndonëse një skuadër si kjo e Kristiano Ronaldos ka një përvojë shumë të madhe. Autoritetet hungareze lejuan pikërisht në ditën e fundit të afatit të UEFA-s për qytetet pritëse të Europianit, që në “Arenën Pushkash” ish-Nep Stadion, të jenë më shumë se 60 000 tifozë. Kjo do të thotë publiku më i madh në një stadium futbolli në Europë në 15 muajt e fundit. Hungaria pret Portugalinë në ndeshjen e parë në grup në Euro 2020 në Budapest dhe trajneri italian i hungarezëve, Marko Rosi, thotë se prania e kaq shumë tifozëve do të ndikojë dhe të motivojë skuadrën e tij. “Ata që nuk motivohen nga kjo le të shkojnë të merren me një sport tjetër”, – thotë ai. Gjithsesi, 67 000 spektatorë duken dekori i duhur për Kristiano Ronaldon që të shkëlqejë. Rosi shpreson që publiku të ndihmojë të pakësohet sado pak diferenca në klas mes dy ekipeve.
Sfidanti.al