Përse Levandovski polak nuk është Levandovski bavarez?!

Në fazat finale të turneve të mëdhenj nuk e ka lënë shenjën. Sulmuesi i shquar 32-vjeçar ka në arkivën e tij vetëm 2 gola në Kampionatet Europiane dhe Robert Levandovski ka shënuar pikërisht 1 në Euro 2012 ndaj Greqisë, dhe një në Euro 2016 kundër Portugalisë. Edhe pse karrierën në kombëtaren e Polonisë e ka nisur në shtator 2008, po bëhen 13 vjet dhe ai nuk po përsërit atë që e bën me aq shumë sukses me klubet. Edhe kur shkëlqente me Dortmundin, edhe pse 8 vjetësh me Bajernin, Levandovski e ka pasur të pamundur të jetë vetvetja me fanelën e bardhë me shqiponjë.

U përsërit edhe në ndeshjen e parë të Euro 2020, kur Polonia u mund nga Sllovakia 2-1, dhe Leva nuk arriti ta gjente rrugën e rrjetës. Siç shkruajnë mediat, ai ishte “në gjumë” dhe duhet të zgjohet sa më shpejt sepse nuk i ka mbetur shumë kohë, as në këtë Europian, dhe as në karrierën e tij me kombëtaren. Golin e vetëm për “panët” e shënoi Karlo Lineti, ndërsa autogoli i Sheznit dhe rrjeta e Milan Shkriniarit i siguroi fitoren sllovakëve. Këta të fundit patën në formacion disa lojtarë me përvojë si Dubravka (Njukasëll), Pekarit (Herta Berlin), Shkriniar (Inter), Hamshik, Kuçka (Parma), Haraslin (Sasuolo), Duda (Këln) apo Mak (Ferencvarosh). Gjithsesi, Polonia vlerësohej më lart dhe tani do të duhet të kërkojë kualifikimin në një grup janë edhe Spanja e Suedia.

Sfidanti.al