Argjentina nuk ka lavdi as me Mesin, tifozët pa shpresë në Kupën e Amerikës!

Ky ekip është specialist për të zhgënjyer. Prej të paktën 20 vjetësh, Argjentina nuk humb rast për të torturuar tifozët, dhe sidomos gjatë epokës së Lionel Mesit, paradoksalisht trofetë kanë munguar. Barazimi 1-1 me Kilin në debutimin e argjentinasve në Kupën e Amerikës ishte një tjetër tregues sesa pak e besueshme është skuadra e trajnerit Lionel Skaloni. Pavarësisht se Mesi e bëri dhuratën e tij, një gol të madh nga goditja e dënimit, sërish dy herë kampionët e botës nuk ia dolën.

E vërtetë që Argjentina pati epërsi dhe se normalisht duhej të kishte fituar, por në fund vlen rezultati. Kili u duk ekip më i ekuilibruar, i fortë në mbrojtje dhe luftarak në mesfushë, ndërsa shfrytëzoi mundësitë e pakta që pati. Në të kundërt, bardhekaltërit duken më të dobët edhe sesa kanë qenë dikur, me mbrojtje që mund të cilësohet “e arnuar”, pavarësisht se në sulm ishin Mesi dhe Lautaro Martinez.

“Ne krijuam shumë raste dhe ne duhej të kishim fituar, – tha Skaloni, – ne e meritonim. Golat do të vijnë për ne, pasi skuadra krijon mundësi shënimi, dhe kjo është gjëja kryesore. Mos u shqetësoni. Përveç rezultatit gjithçka tjetër ishte shumë mirë. Ne patëm probleme vetëm në 10-12 minuta në pjesën e dytë kur Kili u tregua i rrezikshëm”.

Gjithsesi, tifozët nuk ishin aspak të bindur. Ata u tallën në rrjetet sociale me trajnerin dhe me zgjedhjet e tij, po ashtu me mbrojtësit si Otamendi apo Taliafiko, që u cilësuan fajtorë për pësimin e golit dhe për dobësinë në mbrojtje. Shqetësimi i tifozëve është i justifikuar pasi ndeshja e dytë e Argjentinës në grupin A është ndaj rivalit të madh, Uruguajit, dhe ekziston frika se ndaj Kavanit apo Suarezit mund të përfundojë më keq.

Sfidanti.al