Sarri e Murinjo e kanë nisur derbin që tani, në luftë për Rashicën e Shaqirin!

Si lojtarë janë shumë të mirë, aq sa për t’u përleshur për ta. Flitet për një përleshje në formë derbi, dhe kështu pritet të ndodhë për dy lojtarë shqiptarë, Milot Rashicën dhe Xherdan Shaqirin. Këtë dyshe e kërkojnë dy trajnerë të shquar, që do të jenë së bashku në Serinë A, madje në të njëjtin qytet. Mauricio Sarri, tekniku i ri i Lacios, iu shtua konkurrencës që e nisi trajneri i ri i Romës, Zhoze Murinjo. Rashica, sulmues i përfaqësueses së Kosovës, sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Verderi i Bremenit, pasi skuadra e tij u rrëzua nga Bundesliga gjermane.

Xherdan Shaqiri, yll i Zvicrës, gjithashtu mund të ikë nga Liverpuli. Pavarësisht nga vlerësimi i madh i trajnerit Jurgen Klop, 29-vjeçari ka nevojë për më shumë kohë për të luajtur dhe këtë mund ta gjejë në Serinë A, tek Lacio ose tek Roma. Sarri e Murinjo do të kenë të sigurt dy derbi në kampionatin italian, por përpara fillimit të sezonit do të përplasen ashpër për shqiptarët.

Murinjo gjithashtu kërkon edhe Granit Xhakën, yllin tjetër të Zvicrës që ka dëshirë të largohet nga Arsenali i Londrës. Për momentin, tekniku portugez e ka një shqiptar të sigurt tek Roma dhe ky është mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla. Edhe Sarri ka të tillë tek Lacio, pasi portieri Tomas Strakosha ende nuk është i larguar, dhe po ashtu sulmuesi i Kosovës, Muriqi.

Sfidanti.al