Blerjet galaktike duhen harruar, të paktën për momentin. Madridi nuk është ai i viteve 2000, dhe presidenti Florentino Perez nuk mund të bëjë ligjin siç ndodhi me epokat e galaktikëve. Mediat spanjolle shkruajnë me “flamurin në gjysmështizë” se pretendimi i Borusias së Dortmundit për 200 milionë euro për Erling Halandin e hedh në erë operacionin e menduar nga Reali. Është e pamundur që të paguhet kjo shumë për sulmuesin 20-vjeçar norvegjez. Mbapeja duket paksa më i thjeshtë, por sërish nuk ka asgjë të sigurt. Paris SG ka deklaruar se nuk do të lëshojë, dhe presidenti Al Helaifi deklaroi se “Mbape as nuk transferohet këtë verë, as nuk largohet vitin tjetër me parametër zero”. Në fund të fundit, PSG mund të pranonte që ta humbiste në 2022 pa fituar asgjë, ndërsa historia tregon se Reali dy herë pati sukses me lojtarë që kishin edhe 1 vit kontratë, siç ndodhi me portierin Kurtua dhe Eden Hazarin. PSG nuk dëshiron ta humbasë, Mbapenë, por as nuk dëshiron që ai të marrë më shumë pushtet sesa i takon. “Nëse Kiliani dëshiron të caktojë se lojtar duhet të marrim, kjo nuk është e mundshme që të ndodhë”, – thotë Al Helaifi.
Sfidantia.al