Kishte ndodhur së fundmi në korrik 2018 në Çmimin e Madh të Austrisë, kur kampioni i botës ishte tërhequr nga gara dhe nuk kishte mundur të merrte asnjë pikë. Që nga ajo kohë po bëhen 3 vjet, që do të thotë 54 Çmime të Mëdhenj dhe Ljuis Hamilton kishte përfunduar gjithnjë në 10 vendet e para, në shumicën prej tyre në krye, ose në podium. Duhej të vinte Çmimi i Madh i Azerbajxhanit që britaniku të zbriste poshtë dhe të përfundonte jashtë zonës së pikëve, pikërisht në vend të fundit. Një seri e pabesueshme, padyshim një nga më të mirat në histori në mos një rekord botëror.
“Preka pa dashje një buton që ç’aktivizon frenat, – sqaroi më pas Hamiltoni, – prandaj kur erdha te kthesa nuk mund të frenoja. Unë as nuk e kam idenë se kur e preka “butonin magjik”. Më vjen shumë keq për djemtë dhe vajzat e skuadrës. Një përvojë që na bën të ndihemi të turpëruar, të humbasim krenarinë. Gjithsesi, mendoj se Maksi (Verstapeni) ishte shumë pa fat. Një goditje e fatit të keq për të dy ne, atë të parin. Le të mbledhim veten dhe të vazhdojmë luftën për titullin”. Hamilton është 7 herë kampion i botës, po aq sa rekordi i Mikael Shumaherit, por aktualisht është 4 pikë prapa Verstapenit në renditjen e Kampionatit Botëror të Formula 1.
Sfidanti.al