“Plazhisti” Konte vërtet mund t’ia sigurojë trofetë Totenhemit!

Fotografitë e tij me popullore gjatë 10 viteve të fundit kanë qenë ato me kupa në duar. Antonio Konte është padyshim një trajner i suksesshëm, pasi që prej sezonit 2011-2012 e deri më sot ka njohur shumë fitore. Mori 3 tituj me Juventusin, mori Premier Ligën me Çelsin në 2017 dhe tani titullin në Serinë A me Interin, përveçse ka fituar edhe kupa kombëtare në Itali dhe Angli. Pasi vendosi të largohej nga Interi, burri nga Pulja iu përkushtua pushimeve, dhe fotografia më popullore e këtyre ditëve ishte ajo e Kontes duke u bërë gati për zhytje në një breg deti shkëmbor, diku në Itali apo në ndonjë vend tjetër.

Gjithsesi, menaxheri i tij po punon për të dhe duket se “sirenat” po këndojnë që nga Londra. Tashmë, jo nga Çelsi i Roman Abramoviçit, nga Totenhemi i Dejvid Levit. Shkarkimi i Zhoze Murinjos dhe pamundësia për të kthyer në stol Maurisio Poçetinon kanë bërë që miliarderi britanik të mendojë për trajnerin italian. Totenhemi nuk fiton trofe që nga viti 2008, kur mori Kupën e Ligës, ndërsa sukseset e vërteta janë shumë më larg. Kupa e Anglisë është fituar për herë të fundit në 1991 kur në ekip luante ende Pol Gaskoin, titulli kampion në vitin e harruar 1961, ndërsa Kupa UEFA në 1984. A do të mundet Konte ta ndryshojë këtë gjendje? Do të duhen financa, por edhe të binden lojtarët e duhur, veçse nëse nuk ia del ai, nuk ia del askush tjetër.

Sfidanti.al