Fati i Dibalës mori për mbarë me Alegrin, gati oferta 10 milionë euro në vit!

Dy muaj më parë, Fabio Paratiçi, takoi përfaqësuesin e sulmuesit argjentinas dhe i tha disa fjalë. “Është e pamundur që të rinovojmë kontratën, – u shpreh ai, – duhet të kemi parasysh gjendjen financiare në të cilën ndodhemi”. Tashmë, vetë Paratiçi është larguar nga Juventusi, ndërsa Paulo Dibala e ka të ardhmen pikërisht aty. Klubi piemontez është gati të rinisë bisedimet duke u kthyer tek oferta që i bëri vitin e kaluar, me 10 milionë euro rrogë në sezon plus shpërblime në bazë të arritjeve individuale dhe ekipore. Çfarë ndryshoi në dy muaj? Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, ndryshoi trajneri. Me Pirlon pati pak mundësi për të luajtur, edhe me Sarrin jo gjithnjë kaloi shumë mirë, ndërsa e dëmtoi shumë prania e Kristiano Ronaldos. Me shumë gjasë, do të jetë vetë CR7 që do të bëjë gati valixhet, dhe Juventusi do të lehtësohet nga 31 milionë euro rrogë në sezon. Masimiliano Alegri, trajneri i ri, është njeriu që e mori tek Juvja, dhe ai do të rinisë bisedimet me argjentinasin.

Sfidanti.al