Atletiko përballon dramën, shpallet kampione e Spanjës!

U desh të kalonin 7 vjet për ta përsëritur. Drama ishte e në maksimum në Spanjë, por Atletiko e Madridit përballoi gjithçka duke e fituar më në fund titullin në kampion. Në javën e fundit të La Ligës, skuadra e trajnerit Diego Pablo Simeone fitoi 2-1 në fushën e Vajadolidit, duke e bërë pa rëndësi fitoren e Realit në Madrid ndaj Vijarrealit. Gjithsesi, 90 minutëshi i fundit i La Ligës nuk kaloi pa tronditje e përmbysje dhe Atletiko rrezikoi shumë që ta shkatërronte gjithçka që kishte ndërtuar në 37 javë të mëparshme.

Nervat u tendosën në maksimum kur Vajadolidi kaloi në epërsi në minutën e 18-të me golin e Oskar Planos. Për fat, Reali gjithashtu pësoi gol në ministadiumin “Di Stefano”, dhe bardhekuqtë ruajtën virtualisht vendin e parë, por pa pasur asnjë siguri. Pas pushimit tensioni arriti kulmin kur fillimisht iu anulua gol Karim Benzemasë për Realin, dhe njëkohësisht Angel Korrea barazoi për Atletikon. Dhjetë minuta më vonë, heroi i sezonit për madrilenët e vegjël, Luis Suarez shënoi golin e avantazhit 2-1, që ishte edhe goli i 21-të i tij në kampionat këtë sezon, duke sfiduar trajnerin e Barcelonës, Ronald Kuman, dhe ish-presidentin Bartomeu që nuk e deshën në skuadër.

Atletiko u shpall kampion, ndërsa Barça mbeti vetëm në vendin e tretë. Për Realin nuk bënë punë dy golat e vonshëm ndaj Vijarrealit, shënuar nga Benzema e Modriç. Skuadra e Simeones e mbylli sezonin me 86 pikë ndaj 84 të asaj të Zinedin Zidanit. Ky ishte titulli i 11-të në La Liga, nga të cilët dy i ka pikërisht me Simeonen.

Sfidanti.al