Edhe presidenti Duka, magjistari i moçëm , s’e ditka fundin e Superligës!

Sa qënkan  gëzuar edhe shefat e “kazinosë me top” , edhe pse vetë i hedhin zaret e fatit në ruletin që quhet futboll,  që Dinamo dhe Egntia u ngjitën në “parajsë”. O zot sa bukur flet ky presidenti Duka , sidomos në fund të sezonit : “ Më gëzon fakti që Dinamo ka projekte ambicioze në infrastrukturë !” Edhe i vodhi shtëpinë Dinamos për të bërë pallatin e vet “mbretëror” , edhe i uron kur ata janë mes  “ 4 rrugëve të Shijakut”!

Ky teatër sportiv ka vite që është kristalizuar dhe ne e dimë përmëndësh se çfarë do të thotë aktori kryesor në shfaqjen e  epilogut . Sa herë që mbërrijmë në aktin e fundsezonit, presidenti Duka shfaqet si bekues i fituesve, madje po të lexosh gjuhën e trupit të tij, tamam  në momentet e orgazmës së sezonit  kur ndahen  trofetë, pa frikë  thua se ai është  një fitues i padiskutueshem  mbi fituesit…

Një fitues që e tregon aq bukur përrallën e futbollit, sa “fëmijët e rritur”   kanë harruar me kohë proçkën   8 javore të bojkotit, dhe mezi po presin, me zemër në dorë, fundin më enigmatik  të një gare finale në Superligë. Dhe sa më shumë të pyesësh kush e fiton kampionatin, aq më budalla të bëjnë..! Siç e pësoi ai gazetari që guxoi dhe pyeti “mbretin” nga padurimi: president, aman të keqen, na e trego fundin se nuk po durojmë dot! Përgjigja që mori gazetari  është  mrekulluese për nga stisja  : “ Të betohem, se këtë herë, edhe unë vetë nuk e di se çfarë do të ngjasë….

Sfidanti.al