Reali habitet me Man. Junajtidin? 45 milionë për Varanin? Ne duam 70!

Është ende një nga mbrojtësit më të kërkuar të botës, ndonëse në Madrid mendojnë se është momenti që të largohet. Rafael Varan mbetet kampion i botës me Francën dhe titullar i padiskutueshëm i repartit difensiv të Realit, po në këtë kohë krize të koronavirusit, marrin përparësi faktorët financiar. Klubi madrilen shpreson të përfitojë nga kartoni i Varanit, ndërsa edhe vetë futbollisti 28-vjeçar besohet se dëshiron të largohet. “AS” informon se francezi kërkon një aventurë të re që mund ta gjejë në Angli tek Mançester Junajtidi.

Klubi anglez thuhet se ka bërë një ofertë prej rreth 45-46 milionë eurosh për kartonin e Varanit, por në “Santiago Bernabeu” kërkojnë shumë më tepër. Pretendimi i presidentit Florentino Perez është për të paktën 70 milionë euro. Edhe vlerësimi në “transfermarkt” shkon në 70 milionë euro. Solskjer dëshiron të forcojë skuadrën me 3-4 lojtarë të rëndësishëm dhe trajneri norvegjez ia ka vënë syrin Varanit. E vërteta është që Man. Junajtidi e ka kërkuar mbrojtësin edhe në të kaluarën, ndërsa ai ka kontratë në Madrid deri në 2022. Kjo ia ul shanset Realit për të këmbëngulur për 70 milionë euro.

Sfidanti.al