Ende nuk bëhet fjalë për të pretenduar titullin, por përparimi ndihet. Dallas Maveriks siguruan plej ofin në Konferencën Perëndimore në NBA, pas fitores Torontos, dhe kjo falë dy yjeve europianë. Luka Donçiç realizoi një tripëll dabëll në suksesin 114-110, ndërsa Kristaps Porzingis shtoi 21 pikë e 10 topa në tabela. Donçiç, talenti 21-vjeçar nga Sllovenia pati tripëll dabëllin e 11-të të sezonit, me 20 pikë, 10 topa në tabela e 11 asistë, duke qenë padyshim një nga lojtarët më të mirë të edicionit në basketbollin amerikan, ndonëse këtë herë gaboi shumë në gjuajtjet për tri pikë. Dallasi përfitoi edhe nga fakti se Toronto kishte shumë mungesa, por gjithsesi përmirësimi është i dukshëm, pasi asnjëherë nuk ka arritur në këto nivele që kur ekipi udhëhiqej nga legjenda Dirk Novicki nga Gjermania.
Ekipi nga Teksasi është në vend të 5-të, ndërsa 6 skuadrat e para kualifikohen direkt në plej of, ndërsa katër të tjera luajnë në plej in, për të siguruar dy pozicione të tjera në plej of. Vendin tjetër në plej of në Perëndim e diskutojnë Portlendi dhe Lejkërsat, ndërsa Dallasi do të synojë të ndryshojë traditën e dekadës së fundit. Që pasi u shpallën kampion në 2011, Maveriksët ose nuk janë kualifikuar fare, ose janë eleminuar në raundin e parë, por tani duket ndryshe.
Sfidanti.al