Champions, Anglia mund të mbetet pa finalen e madhe

Takimi i zhvilluar mes përfaqësuesve të qeverisë britanike dhe atyre të UEFA për finalen e Ligës së kampioneve nuk rezultoi i kënaqshëm për interesat e palës angleze. Sipas  asaj që publikon ‘Times’ bisedimet për zhvillimin e finales mes Chelseat dhe Manchester City në Wembley të Londrës nuk ishin te frytshme.

Pavarësisht vullnetit të qeverisë së Boris Johnson që finalja të luhej në stadiumin mitik të futbollit anglez, ka një sërë rrethanash që e bënë UEFA të refuzojë këtë opsion.

Prania e publikut në stadium është garantuar në Angli për ndeshjet e Evropianit, madje finalet e Kupës së Ligës dhe gjysmëfinalet e Kupoës së Anglisë janë zhvilluar me tifozë në stadium në një numër minimal personash. Për finalen e FA Cup mes Chelsea dhe Leicester pritet që numri i të pranishmëve në stadium të jetë deri në 21 mijë. Wembley i ofron këto mundësi e megjithatë UEFA, sipas Times ka në mendje një tjetër alternativë për Stambollin.

Bëhet fjalë për Porton dhe më konkretish stadiumin  Dragao. Në Portugali, masat janë më të lehta sepse situata është shumë më e mirë se në Turqi përsa i përket Covid-19. Në këtë moment, Portugalia është në listën e gjelbër të qeverisë britanike, ndryshe nga Stambolli, gjë që lejon tifozët e Manchester City dhe Chelsea të udhëtojnë drejt vendit iberik për të ndjekur ndeshjen.

Sfidanti.al