Teuta merr kreun e Superligës, Tirana hyn në garë për titullin

Një javë “e zjarrtë” e kampionatit shqiptar solli ndryshime në renditje, dhe forcoi garën për titullin. Plot 5 ekipe ndahen nga 6 pikë, që nga Teuta që mban vendin e parë e deri tek Tirana. Durrsakët triumfuan 2-0 në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit me gola të shënuar nga Krasniqi në pjesën e parë e nga Hoxha pas pushimit. Tirana ia doli minimalisht në “Selman Stërmasi” ndaj Vllaznisë me golin e shënuar nga Batha në 73’.

Në Kurbin, Laçi e Partizani u ndanë në barazim 2-2 në një ndeshje shumë të fortë. Çinari kaloi të kuqtë në epërsi në 8’, por Musta barazoi në 18’. Në 57’ ishte Shehu që shënoi të dytin gol për vendasit, por Stenjo Zhunior barazoi 10 minuta para fundit. Të kuqtë kanë shansin e madh këtë sezon për faktin se kanë sulmin më të mirë të kampionatit, duke shënuar 46 gola ndaj  38 të Vllaznisë, 37 të Laçit, 36 të Tiranës e vetëm 30 të Teutës.

Java 30: Kukësi-Teuta 0-2, Laçi-Partizani 2-2, Tirana-Vllaznia 1-0, Skënderbeu-Bylis 2-1, Apolonia-Kastrioti 2-1. Renditja: Teuta 55 pikë, Partizani 54, Vllaznia 53, Laçi 50, Tirana 49, Kukësi 36, Kastrioti 31, Bylis 29, Skënderbeu 26, Apolonia 20.

Sfidanti.al