Për herë të parë dhe të fundit deri më sot, kishte ndodhur në vitet 1981-1984. Ishte epoka e Liverpulit të madh të Bob Pejslit, që fitoi Kupën e Ligës katër herë radhazi, ndonëse ky sukses nuk është se bënte shumë përshtypje për ekipin që fitoi edhe titullin në Angli disa herë, dhe që fitoi Kupën e Kampionëve në 1981 e 1984. U desh të kalonin 37 vjet që një skuadër ta përsëriste këtë “trimëri”, dhe këtë e bëri Mançester Siti që fitoi Kupën e Ligës për herë të katërt radhazi. Finalja në “Uembli” sinjalizoi edhe kthimin e tifozëve nëpër stadiumet angleze, me 8 000 të tillë, ndonëse shumë më pak se kapaciteti prej 90 000 vendesh. Mbrojtësi Ajmerik Laporte shënoi golin e vetëm në 82’ në sfidën që përfundoi 1-0 ndaj Totenhemit.
“Ishte një kënaqësi e madhe të ndjeje zhurmën e tifozëve në stadium, – tha Pep Guardiola, – edhe pse nuk ishte stadiumi plot. Ne krijuam shumë raste, edhe pse Totenhemi na rrezikoi disa herë në kundërsulm. Zhvilluam një finale të mirë”. Siti pati epërsi të madhe, me 62 për qind mbajtje topi, 21 gjuajtje drejt portës ndaj 2 të Spërsave, 4 gjuajtje në portë (1). Kornet ishin 8-3.
Man. Siti: Stefën, Uolker, Dias, Laporte, Kanselo, Fernandinjo (Rodri 84’), De Brujn (Bernardo Silva 87’), Gyndogan, Mahrez, Foden, Stërling. Tr. Guardiola.
Sfidanti.al