Edhe Kombëtarja kërkon ndryshim në politikë, por jo në fron, jo në ..lojë!

Kur vjen dita e zgjedhjeve të gjithë thërrasin se ka ardhur koha për ndryshim, edhe pse kanë marrë  leksione nga jeta se ndryshimi mund të jetë dhe në krahun e padëshiruar. Këto ditë, tamam në prag të zgjedhjeve,  disa nga futbollistët e Kombëtares kanë flakur maskën e apolitizmit ,  duke i dhënë një kumbim  tjetër  sloganit politik : “ Ka ardhur koha për ndryshim !”

Disa nga futbollistët e Kombëtares, Mavraj, Basha, Xhaka e Kaçe paskan flakur maskën e apolitizmit, e cila zakonisht është uniformë etike e një ekipi kombëtar , duke kërkuar ndryshimin në kursin  e politikës.  Nuk është hera e parë e as e fundit që çunat kuqezi shndërrohen në “fanarë”   për të ndriçuar lojën e papastër  të  votës . Një lojë që për nga pisllëqet e lë pas futbollin, sepse është mëma e gjithë të këqijave.  Po, nëse do të flasim me gjuhën e ndryshimit edhe në futboll, lindin pyetja  që mund të djegë  edhe më shumë se specat  djegës:

Pse po mbushen 20 vite që futbolli i Kombëtares është shndërruar në një gënjeshtër me xixa, një përrallë kullufit milione euro, një maskim  që kërkon të kamuflojë një diktaturë të thellë  presidenciale si ajo e Dukës, dhe askush nga futbollistët e Kombëtares nuk voton për ndryshimin…?!

Intriga  është kaq kontradiktore dhe ironike njëherësh  : duan ndryshim në politikë, por nuk duan kurrsesi  ndryshim në fronin e futbollit! Të atij sporti  që jeton në kohën e demokracisë por që  rrotullohet  topi nën diktat , të  atij topi që mbyllet në kafaz. Aq sa  kur del dikush dhe kërkon ndryshim të thellë  nga koka  tek këmbët , siç ishte rasti i Igli Tares, kur ishin zgjedhjet e fundit të futbollit, bien kambanat e alarmit , vishet uniforma e luftes  ndaj një ..goje që  është hapur dhe po  damkos  sistemin..!

Sa për mbyllje : Kombëtarja kërkon ndryshim nga kursi i lojës në politikë, kurse për vete as nuk ka kurs loje, luhatet mrekullisht  si një politikane e pabesë,  që edhe nga humbjet fiton, pale ç’ndodh me fitoret …

Sfidanti.al