Rinovimi me Mbapenë e Nejmarin? PSG synon më parë finalen e Championsit!

Me rezultatet në “tavolinë” edhe yjet do të jenë më të lehtë për t’u bindur. Kjo është formula që po përdor Paris SG për të ecur përpara, ndërsa e ardhmja e Kilian Mbapesë dhe Nejmarit mbetet “në ajër”. Pyetjet nga gazetarët nuk rreshtin dhe drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, është i detyruar të stresohet për t’u përgjigjur, ndërsa nuk ka asnjë lajm të mirë për të dhënë. “Ne zakonisht jemi optimistë, – thotë ai, – kjo për shkak të punës që bëjmë. Mbape e Nejmar kanë edhe nga një vit kontratë, nuk është i fundit. Do të vijë momenti i vendimit për ta. Të gjithë e dinë synimin tonë”. E ardhmja është në pikëpyetje pra nëse dyshja do të transferohet këtë verë, duke fitua PSG një shumë të madhe financiare, apo do të mbahen edhe një vit për t’u larguar falas?! Vështirë për një investim rreth 400 milionë euro. Nëse PSG arrin në finale të Championsit dhe synon trofeun në 29 maj, drejtuesit do ta kenë më të lehtë të negociojnë, ndërsa dështimi i Superligës Europiane ia pakëson shanset Realit për Mbapenë.

Sfidanti.al