Kosova në majë të Europës në xhudo, Akil Gjakova kampioni i dytë kontinental!

Viti 2021 padyshim që do të mbahet mend. Edhe pse nuk është ai kulm i Lojrave Olimpike me Majlinda Krasniqin, sërish të kesh dy kampionë të Europës në xhudo nuk është diçka që ndodh shpesh, por ja që Kosova ia doli. Titullin e dytë e fitoi Akil Gjakova në kampionatin kontinental që po zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë, ndërsa shteti i ri u ngjit në krye të tabelës së medaljeve pas dy ditëve të para. Medalja e artë u arrit në peshën deri 73 kg, dhe ishte një nga sukseset më të vështira.

Gjakova fitoi radhazi ndaj izraelitit Levin, gjermanit Cing dhe rusit Mogushkov në çerekfinale. Në gjysmëfinale, shqiptari i Kosovës u ndesh me zviceranin Shtump, ndërsa finalja ndaj izraelitit tjetër, Tohar Butbul ishte tepër e vështirë. Koha e rregullt nuk mjaftoi dhe dy xhudistët u detyruan të ndesheshin edhe në shtesë, ashtu siç i ndodhi 25-vjeçarit edhe në gjysmëfinale. Më në fund, Gjakova bëri lëvizjen vendimtare duke fituar me rezultat të ngushtë 1-0.

Një sukses i madh, titulli i parë europian në karrierë, që pason medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare në 2018 në Tarragonë, të artës në Grand Slemin e Parisit dhe dy të arta në Çmimet e Mëdhenj në 2018 e 2019. Kosova fitoi ditën e parë medaljen e artë me Distria Krasniqin dhe të bronzit me Nora Gjakovën.

Sfidanti.al