Kush ia jep Halandit rrogën prej 35 milionë eurosh në vit?!

Le të mos na thonë që u këputën nga pandemia! Nëse janë të tillë klubet e vegjël, ata le të kthehen në amatorizëm, se “shtresa e lartë” e futbollit ka plane të tjera. Disa klube po bëjnë llogaritë dhe po mendojnë nëse mund t’i japin rreth 35 milionë euro në vit Erling Halandit, aq sa pretendon agjenti i tij Mino Raiola. Padyshim janë para të mbledhura nga një biznes në bazë të ligjit, miliona e miliona që njerëz në të gjithë botën derdhin për paketat televizive me pagesë, për t’u kënaqur 2 orë në një mbrëmje me futbollin e nivelit më të lartë, ndonëse nëse do të kishte propagandë siç duhet (dhe jo vetëm “bjeri topi”), ata do të ishin dakord që më mirë të paguanin që njerëzit të shëroheshin nga sëmundjet dhe do ta sakrifikonin kënaqësinë e përkohshme që të jep një ndeshje sporti. Gjithsesi, të kthehemi tek Halandi, pasi Reali i Madridit, Barcelona, Paris SG, Mançester Junajtid, Mançester Siti e Çelsi thuhet se e kërkojnë. Thuhet gjithashtu se një klub anglez është tërhequr kur ka dëgjuar rrogën e pretenduar.

Sfidanti.al