Një shtet i ri, por që nuk duket aspak i tillë në sport. E tillë Kosova që pas mrekullive të Majlinda Kelmendit, po i tregon botës se ka më shumë se kaq. Distria Krasniqi u shpall kampione e Europës në xhudo, në kampionatin që po zhvillohet në Lisbonë të Portugalisë. Xhudistja 25-vjeçare triumfoi në finale ndaj ukrainases Daria Bilodid, në peshën deri 48 kg. Nuk ishte e lehtë pasi ukrainasja 20-vjeçare cilësohet një fenomen dhe ka dalë kampione e botës dy herë radhazi, por nuk përballoi dot vajzën nga Kosova.
Krasniqi i fitoi që të katër ndeshjet e saj në kampionat me rezultatin 10-0, duke treguar epërsi ndaj rivaleve. Fillimisht, ajo kaloi italianen Françeska Xhorda, në çerekfinale arriti sukses ndaj izraelites Shira Rishoni, ndërsa në gjysmëfinale përballoi me sukses rusen Sabina Giliazova. Krasniqi ia shton të artën europiane, bronzit të fituar në Botëror në 2019, arit të Lojrave Mesdhetare në 2018, bronzit europian në 2020 dhe argjendit europian në 2018. Kosova ka fituar dy medalje në Europian, një të artë dhe një bronzi, duke qenë një nga shtetet më të sukseshme deri tani. Që të dyja këto medalje erdhën nga femrat, pasi bronzin e mori e shquara Nora Gjakova në peshën deri 57 kg.
Sfidanti.al