Kupa e Anglisë, do ta mundë Tuheli Guardiolën për herë të parë?!

Dueli është në gjysmëfinalet e Kupës këtë pasdite në orën 18:30, ndërsa të dy burrat kanë qenë përballë edhe në të kaluarën. Tomas Tuheli dhe Pep Guardiola janë ndeshur 6 herë në Gjermani dhe trajneri i sotëm i Çelsit nuk ka mundur të fitojë asnjëherë. Përse të mos ndodhë pikërisht sot, dhe t’i prishë Pepit ëndrrën për fitoren e katërfishtë? Mançester Siti pretendon Premier Ligën, të cilën thuajse e ka fituar, po ashtu Championsin ku është në gjysmëfinale, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës ku ka finalen ndaj Totenhemit të Murinjos. Tuhel e Guardiola kanë qenë dhe mbeten miq e të respektuar. Tregohet se një herë, në një restorant të Mynihut, diskutuan gjatë për taktikën duke përdorur shishet e vogla të kripës apo të piperit në vend të lojtarëve. “Pep është më i miri”, – thotë Tuheli kur katalanasi ishte tek Bajerni, dhe ai tek Mainci e Dortmundi. Guardiola e vlerëson larg gjermanin, duke e quajtur trajner shumë të mirë dhe mik. Ja që ndodh edhe që miqtë të mërzisin njëri-tjetrin siç do të bëjë njëri prej tyre me tjetrin sot.

Sfidanti.al