“Viti i shenjtë”? Guardiola arrin më në fund katërshen me Siti!

U desh të vinte sezoni i pestë në këtë klub që të provonte suksesin më të madh (deri tani, jo në mënyrë absolute). Pep Guardiola doli më në fund në gjysmëfinale të Championsit me Mançester Sitin pasi mundi përsë dyti herë Dortmundin 2-1, këtë herë në Gjermani. Belingham shënoi në 15’, por pas pushimit rolet u ndërruan. Rijad Mahrez barazoi me penallti në 55’ dhe Fil Foden i dha fitoren miqve me rrjetën në minutën e 75’. Siti pati epërsi me 17 gjuajtje drejt portës (10 Dortmund), me 708 pasime ndaj 441 të vendasve dhe me 62 për qind zotërim topi. Imagjinoni, goditjet nga këndi ishin 11-2!

“Jam shumë i lumtur për për klubin, për presidentin dhe tifoztë, – tha ai, – kjo është vetëm hera e dytë që Siti arrin në gjysmëfinale, pra nuk është traditë për ne, por ne po përpiqemi ta krijojmë. Ishim të shkëlqyer me përjashtim të 10 minutave të para. Jemi një nga 4 më të mirat në Europë, dhe do të kemi përballë një ekip të madh”.

Ndryshe nga sa ishte mësuar tek Barcelona dhe Bajerni, trajneri katalanas provoi eleminimin që në turin e dytë në 2017 (nga Monako), pastaj tre humbje radhazi në çerekfinale, ndaj Liverpulit, Totenhemit dhe Lionit. Tashmë, në katërshe do të ketë punë me Paris SG, ekipin që e eleminoi në çerekfinale në 2015-2016 (1-0, 2-2). Siti më në fund po duket i fortë, ashtu si vjet kur eleminoi Realin në turin e dytë (2-1, 2-1).

Formacionet

Dortmundi: Hic, Morei (St. Tiges 81’), Akanji, Humels, Gerrero, Xhan, Belingham (Brant 80’), Dahud (T. Hazar 75’), Knauf (Rejna 68’), Rojs, Haland. Tr. Terziç

Mançester Siti: Ederson, Uolker, Ruben Dias, Stouns, Zinçenko, Rodrigo, Bernardo Silva, Gyndogan, Mahrez (Stërling 88’), De Brujne, Foden. Tr. Guardiola

Sfidanti.al