Që të eleminosh një kundërshtar të tillë duhet t’i kesh të gjitha letrat në rregull. Këtë e kanë bërë ose një Benfika e madhe, një Inter i madh, një Bajern i madh, një Juventus i madh, një Milan i madh, apo ekipe në kulm të formës si Borusia Mynshengladbah në vitet 70-të, apo Dortmundi në 2013. Mënyrë tjetër për të nxjerrë Realin nga Championsi nuk ka. Liverpuli ia ka dalë në të kaluarën, madje dy herë, por ishin kohët ose kur të kuqtë ishin fantastikë (në 1981), ose kur Madridi nuk ishte plotësisht Madrid (2007).
Këtë herë raporti ishte tjetër dhe Reali meritoi kualifikimin për në gjysmëfinale pas barazimit 0-0 në “Anfild” dhe fitores së ndeshjes së parë 3-1 në “Alfredo Di Stefano”. Shumatorja i jep të drejtë të besuarve të Zinedin Zidanit. Përse dështoi Liverpuli? Mungesat ishin të shumta për të dyja palët, por potenciali ishte i ndryshëm. Nëse Klopi duhej të luante me 20-vjeçarin Kavan që vinte nga Shalke dhe me Filipsin pa përvojë, Zidani rreshtonte Naçon, Militaon dhe Mendinë edhe duke mos pasur Ramosin apo Varanin. Për anglezët, mungesat e Van Dajkut, Gomezit dhe Matipit ishin vendimtare, sidomos ajo e holandezit.
Në mesfushë Reali kishte një nga repartet më të mirë të historisë së tij, me Krosin, Modriçin e Kasemiron, si dhe Valverden. Liverpuli nuk kishte liderin, Hendersonin, të vetmin lojtar që mund të udhëhiqte dhe që të barazohej me yjet kundërshtarë. Vajnaldum e Fabinjo janë shumë të mirë, por jo Kros e Modriç, Tiago Alkantara e nisi nga stoli, ndërsa Milneri është një veteran. Në këto kushte nuk pati shumë mundësi për sulmin, edhe pse Salah, Mane, Firmino e Zhota janë klas botëror. Realit, në të kundërt, nuk i hynin shumë në punë këtë herë Benzema e Vinisius. Futbolli është edhe fat, dhe tani fatin përballë Realit do ta provojë Çelsi, ndërsa Liverpuli duhet me patjetër të sigurojë kualifikimin për në Champions nga Premier Liga.
Liverpuli mbajti topin 55 për qind, diçka shumë e rëndësishme përballë mesfushës madrilene, po ashtu pati 13 gjuajtje drejt portës ndaj 4 të miqve, me 5 prej tyre në kuadrat ndaj vetëm 2 të “merengesve”. Edhe kornet ishin 11-3, ndërsa Kurtua bëri 5 pritje të rëndësishme ndaj 2 të Alisonit.
Formacionet
Alison, Aleksandër-Arnold, Filips, Kabak (Zhota 60’), Robertson, Vajnaldum, Fabinjo, Milner (Tiago Alkantara), Firmino (Shaqiri 82’), Salah, Mane (Okslejd-Çembërlen). Tr. Klop
Kurtua, Valverde, Militao, Naço, Mendi, Modriç, Kasemiro, Kros (Odriozola 72’), Asensio (Isko 82’), Benzema, Vinisius (Rodrigo 72’). Tr. Zidan
Sfidanti.al