Hansi Flik lë “në ajër” të ardhmen: Nuk ka bisedime me Bajernin

E përditshmja “Bild” ka shkruar se në Mynih do të ketë një takim të nivelit të lartë për të përcaktuar fatin e trajnerit. Sipas saj, Oliver Kahn do të takohet me Hansi Flikun, dhe kjo ishte përcaktuar përpara eleminimit në Champions nga Paris SG. Gjithsesi, vetë Fliku e hodhi poshtë këtë variant, ndërsa foli nga Parisi. “Unë nuk kam asnjë takim të planifikuar me bordin e Bajernit, – tha ai, – nëse Oli dëshiron të më takojë, padyshim që ai mund ta bëjë, ndonëse unë e nuk e kam idenë se për çfarë mund të flasim”.

Tema kryesore mbetet konflikti i tij me drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç, i cili thuhet se përkrahet nga presidenti Herbert Hajner dhe ish-presidenti Uli Hënes, kurse Flik nga shefi ekzekutiv Rumenige. Nuk dihet sesa e saktë është kjo. Lotar Mateus u shpreh pas ndeshjes në Champions se “kjo ishte e fundit herë e Flikut me Bajernin në Europë”. “Ai do të pranojë propozimin e DFB-së për të zëvendësuar Joakim Lëvin në kombëtare”, – shtoi ish-kapiteni. Gjithsesi, nuk dihet nëse Fliku do të dojë të braktisë një detyrë ku punon përditë, me rolin e selektorit që ka shumë më pak intensitet.

Sfidanti.al