Përcaktohen dy skuadrat që do të luajnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin tonë. Vllaznia e Skënderbeu u kualifikuan për në finalen e Kupës së Shqipërisë pasi eleminuan përkatësisht Laçin e Teutën. Të dyja gjysmëfinalet, sipas rregullores së këtij sezoni, ishin me nga një takim. Shumë e fortë përballja në Shkodër ku vendasit luajtën më mirë dhe e merituan kualifikimin. Golin e vetëm e shënoi sulmuesi vlonjat Ardit Hoxhaj që në minutën e 21-të, dhe kuqeblutë u mbajtën deri në fund. Ata patën edhe disa raste të tjera, ndërsa Laçi u përpoq, por duke rrezikuar më pak.
E papritur ajo që ndodhi në “Niko Dovana” ku Skënderbeu mundi 2-0 Teutën. Meksi shënoi në minutën e 2-të dhe Berisha një minutë para fundit të pjesës së parë, me korçarët që bënë suprizën në Durrës. Edhe pse dihej se Skënderbeu ishte forcuar dhe po luante mirë kohët e fundit, sërish dukej e vështirë për të thyer Teutën në “Niko Dovana”, edhe për faktin se trajneri Memelli duhej të ruante disa forca në kampionat ku ekipi i tij rrezikon rënien nga kategoria. Pas pushimit durrsakët patën të paktën 3 raste të mira për shënim, por ose gabuan, ose i ndaloi portieri Rexhepi. Ish-kampionëve nuk u prishi punë as fakti se luajtën me 10 vetë gjithë pjesën e dytë pasi Berisha mori kartonin e dytë të verdhë, pra edhe të kuq, pasi shënoi. Korçarët kanë mundësi të kualifikohen për në Europë dhe ta zbresin edhe me një vit dënimin e dhënë nga UEFA.
Sfidanti.al