Nga kampionati i çmendurisë së bojkotit tek kampionati që të bën me “infarkt” po të besosh rivalitetin e pikëve në krye të klasifikimit. Kaluam 8 javë pa futboll dhe të gjithë menduan se ky ishte sezoni të cilin e dështuam për 8 palë qejfe ( aq sa javet e bojkotit), për arsye më shumë politike se sa sportive. Po paskemi qënë të nxituar, si përherë, pasi nuk e dinim se çfarë skenari tjetër po na kurdisej ! Kush e dinte dhe kujt ia kishte marrë mendja, se do të përjetonim garën për titull të 5 ekipeve, që duken mjaft bukur kur pozojnë në klasifikim, po të mos i shohësh si dridhen e përdridhen në lojë. 5 ekipe, ku disa prej tyre ndërrohen si “dexhurn” në krye të tabelës ndër javë!
Ky kampionat do të kujtohet se i vumë shumë emra. Madje ka më shumë emra se të gjithë kampionatet e marrë bashkë. E pagëzuam si kampionatin më sfilitës për shkak të bojkotit, të tjerë shpejt e harruan grevën dhe të mësuar me lojën me maska, vunë maskën e kohës, duke thënë se do të kujtohet si sezoni pandemik edhe pse pa jetë në stadiume, por me shumë jetë në klasifikim! Aq sa duket e ndaluar të pyesësh: Kush do të jetë fituesi i titullit? Për vite të tëra, nastradinët e topit na e tregonin fundin e përrallës qysh në fillim, kurse këtë herë do ta merrkemi vesh në fund! Të gjithë shohin tërë sy e vesh nga “regjizori”, ngaqë nuk jemi mësuar me të tilla filma, s’kemi durim të presim deri në aktin e fundit…
Pale arbitrat, ata që thirren “spiunët e mbretit”, nga sjellje e të cilëve kuptonim se cili do të jetë kumbari i titullit, as nuk lexohen fare si më parë. Madje tregohet një lloj barsalete, sikur një nga arbitrat, nga ata që quhen “bomber” për shkak të bëmave ne javet e fundit, paska hapur zemrën : “ Na kanë dhënë shpresë se do na fusin në rolin protagonist në javët e fundit, por akoma nuk është shtypur butoni…”
Sfidanti.al