Interi është 11 pikë përpara, por nuk bindi ndaj Sasuolos me 8 mungesa

Titulli është vetëm një hap larg dhe si mund të jetë ndryshe kur shkëputesh 11 pikë nga ekipi i vendit të dytë. Ky është sezoni triumfues i Interit në Serinë A që ka lënë pas Milanin e Juventusin dhe shkon edhe më bindshëm drejt “skudetos” së parë në 11 vjet pas fitores 2-1 në “San Siro” ndaj Sasuolos. Thënë kjo, edhe vetë Konte e di se ekipi i tij nuk shkëlqeu qoftë edhe ndaj një kundërshtari si Sasuolo që pati 8 mungesa, një katastrofë për një skuadër të vogël. Edhe pse pa Ajhanin, Muldurin, Defrelin, Berardin, Kaputon, Lokatelin, Ferrarin, Romanjën e Burabian, sërish miqtë u mbajtën fort dhe nuk u turpëruan, madje akuzuan gjyqtarin që i mohoi penallti.

Romelu Lukaku ishte si gjithnjë në krye të detyrës, Lautaro Martinez e shënoi golin e tij gjithashtu, veçse klubi zikaltër e ka të qartë se duhen përforcime për të hapur një cikël, për të bërë futboll të madh e për të konkurruar në Champions, si në kohën e Helenio Herrerës dhe të Zhoze Murinjos. E tregojnë statistikat, 30 për qind zotërim topi në “San Siro”, dy gjuajtje në portë, dy gola. “Do ta kemi të vështirë deri në fund, – tha Konte, – tani përgjegjësia është shumë e madhe, çdo fitore vlen 6 pikë. Rëndësi ka që jemi pjekur. Për lojën e bukur do të shkojmë tek estetisti, por synimi ynë është titulli. Nuk e kishim menduar kurrë që në 2 vjet do të ishim 12 pikë mbi Juventusin”.

Sfidanti.al