Paulo Dibala, 87 ditë pa futboll, 94 ditë pa gol në Serinë A!

Në Itali po flasin për “simfoninë e gëzimit”, pasi ai ka nofkën “Joya” (Zhoja), që do të thotë gëzim. Paulo Dibala më në fund u kthye për Juventusin dhe e bëri në mënyrën më të mirë, në mbrëmjen e vështirë për Elseid Hysajn dhe Napolin. Përfundimi 2-1 në “Alianc” ishte edhe për meritë të argjentinasit që u kthye në fushë 87 ditë pas ndeshjes së fundit, periudhë në të cilën pati dëmtimin, polemikat dhe darkën në shtëpinë e Mekkenit në shkelje të rregullave anti-Kovid.

Shënoi gol pas 94 ditësh, dhe kjo ishte rrjeta numër 99 me fanelën e Juventusit. Festa ishte e madhe pasi gjithë skuadra e përqafoi, dhe e madhe do të jetë festa edhe për golin numër 100. Trajneri Andrea Pirlo nuk hezion t’i thurë lavde. “Kur ke në dispozicion një lojtar si Dibala përpiqesh që ta aktivizosh sa më shumë që të jetë e mundur, – thotë ai, – por, nuk e kemi pasur, dhe pa të është e vështirë. Ai është një vlerë e madhe për çdo ekip, edhe për Juventusin. Shpresojmë që ta bindim që të qendrojë, ka edhe një vit kontratë pas këtij, pra ka kohë. Shpresojmë ta mbajmë”.

Sfidanti.al