Anglia me Harri Kejnin në Tiranë, por Rashford kthehet në Mançester!

Në “Arenën Air Albania” pritet të dalë me “artilerinë e rëndë”. Anglia do të luajë ndaj Shqipërisë me lojtarët më të fortë të mundshëm, pasi trajneri Garet Sauthgejt vlerësoi ndeshjen e Tiranës si shumë më të vështirë sesa atë ndaj San Marinos. Kapiteni Harri Kejn, sulmuesi më i mirë sot për sot i anglezëve, do të jetë titullar, dhe bashkë me të edhe mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Harri Megajer. Në fushë edhe Deklan Rajs, ndërsa Markush Rashford mbetet i dëmtuar dhe është kthyer në shtëpi.

Sipas informacioneve që vijnë nga mediat britanike, Sauthgejt do t’u japë edhe një tjetër shans lojtarëve që bënë paraqitje shumë të mirë ndaj San Marinos, si Xhesi Lingard i Uest Hemit, Dominik Kalvert-Ljuin i Evertonit dhe Xhud Bellingham i Dortmundit. Anglia ka mungesa sidomos kapitenin Liverpulit, Xhordan Henderson, që ka bërë operacion, dhe po ashtu në portë është Poup në vend të Xhordan Pikfordit. Sauthgejt nuk mori as lojtarin e Arsenalit, Saka, ndërsa pritej që ai të ishte i gatshëm për Shqipërinë dhe Poloninë. Anglia fitoi 5-0 ndeshjen e parë eleminatore të Botërorit ndaj San Marinos, ndërsa synon të marrë komandën në grupin tonë me një fitore në Tiranë.

Sfidanti.al