Kanë kaluar 12 vjet që kur një klub i madh pagoi 250 000 paundë stërlina për të. Ishte Liverpuli që mori kartonin e 17-vjeçarit Majkëll Ngo, sulmuesit që shqiptarët e njohin sepse luajti e u shpall kampion me Tiranën, ndërsa në Angli luante në krah të yllit të sotëm të kombëtares e të Mançester Sitit, Rahim Stërling. Pikërisht Majkëll Ngo, i larguar verën e kaluar nga Shqipëria, tregon për mediat angleze sesi e fitoi titullin në Superligë, si dhe historitë e tij interesante me ish-trajnerët Ardian Mema dhe Emanuel Egbo.
Një njeri tepër i ndjeshëm dhe jo gjithnjë me ekuilibër psikologjik, anglezi me origjinë nigeriane tregoi se pati probleme kur luajti në fushën e atyre që i quajti “ekipe fshati”, ndonëse nuk përmendi sherrin e famshëm me presidentin e Laçit, Pashk Laska, në korridoret e stadiumit “Selman Stërmasi”. Ngo, gjithsesi, foli për një përplasje me trajnerin Ardian Mema, duke nënkuptuar se ky i fundit e ofendoi me disa fjalë që nuk do të ishin toleruar në Angli. Theksimi është i qartë, pra që Mema duhet të ketë përdorur fjalë raciste. Gjithsesi, sulmuesi pohon se me Memën, Tirana luajti futboll të mirë dhe se në fund ata u bënë miq.
Periudha me trajnerin tjetër, Emanuel Egbo, ishte edhe më e veçantë, pasi u fitua titulli. “Ai e forcoi kaq shumë besimin në dhomën e zhveshjes, – shprehet Ngo, – saqë ne ndiheshim sikur nuk do të humbisnim kurrë”. Futbollisti që sot është 29-vjeçar, shënoi 13 gola e shërbeu 26 asistë në 31 ndeshje të Superligës edicionin e kaluar, duke qenë një nga lojtarët më të mirë, ndërsa pati sezonin më të mirë në karrierë.
Me gjasë, ai do të kishte dashur të luante në nivele më të larta, dhe e provoi këtë në Premier Ligën e Skocisë, por pësoi një dëmtim të rëndë pas një ndërhyrjeje nga ylli i sotëm i Liverpulit, mbrojtësi Van Dajk. Ngo e akuzoi holandezin për dëmtim të qëllimshëm, dhe ai i kërkoi falje, por dëmtimi i kushtoi 2 vjet të humbur. Për këtë arsye, ai u detyrua ta rifillonte nga Shqipëria, ndërsa kishte humbur besimin në Angli ku e provoi me Bromlejn dhe Oldhem Atletikun. Nuk i doli keq, pasi edhe tani që është në Qipro, të gjithë e pyesin për titullin e fituar me Tiranën.
Sfidanti.al