Ronaldo i mërzitur me Juventusin që dorëzohet për titullin

A mundet që një ekip i tillë të dorëzohet? Nuk është e lehtë të thuhet kjo gjë për Juventusin, veçse jehona negative është e madhe në Itali pasi kampionët barazuan në fushën e Veronës. Gazetat sportive në Apenine shkruajnë se “Zonja e Vjetër” duket sikur ka ngritur duart lart në garën për titull me Interin e me Milanin, ndërsa Kristiano Ronaldo ndihet i vetmuar dhe i shqetësuar.

Superylli portugez, në moshën 35-vjeçare është ende në gjendje të jetë vendimtar me golat e tij, por ka nevojë për mbështetjen e skuadrës. i duhen pasime të saktë për të shënuar, i duhet edhe një mbrojtje për të mos pësuar. Kjo nuk ndodhi në Veronë, ku ndikuan edhe 7 mungesat.

“Zemërim i CR7-ës, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Kristiano shënon dhe shpërthen! Pirlo: Dy pikë të humbura, frenim në Veronë, Ronaldo nuk mungon dhe Juventusi kapet nga vendasit!” Analiza e të përditshmes kryesore italiane është se Juventusi nuk merr dot fitoret në ndeshje të vështira, nëse nuk është në avantazh të dy golave nuk ia del!  Po ashtu, konkluzioni është se Ronaldo është tepër i vetmuar dhe nuk ka mundësi për zëvendësime!

“Sinjale dorëzimi nga Juventusi, – titullon qartë “Il Korriere delo Sporti”, – Nuk mjafton goli i Ronaldos. Verona jo vetëm që barazon, por edhe dominon!

“E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, – pohoi Pirlo, – ekipe të tillë është e vështirë t’i thyesh. Më vjen keq sepse bëmë gjënë më të vështirë, pra kaluam në avantazh, dhe nuk arritëm të mbronim rezultatin. Në fund ishim tepër të lodhur dhe rrezikuam humbjen, sepse nuk kemi alternativa. Na mungoi cilësia dhe përvoja”.

Trajneri ka të drejtë sepse Juventusi pati 4 mbrojtës mangut, e po ashtu dy sulmues si Morata e Dibala.

Gjithsesi, duket se nuk është viti i duhur për të mbrojtur titullin. Juvja ka 46 pikë, duke prapa dy ekipeve milaneze që kryesojnë.

Sfidanti.al