“Merimanga” Selmani, në formacionin e javës në Turqi pas pritjes së penalltisë!

Nuk u vlerësua vetëm për këtë, por gjithsesi ky ishte momenti kulmor. Gentian Selmani është bërë hero në Turqi, tek skuadra e tij Boluspori, me pritjet e shumta madje edhe duke ndaluar 11-metërshin. Për këtë paraqitje të nivelit të lartë ndaj Balikesporit, gardiani i kombëtares shqiptare u përfshi në formacionin e javës së Ligës së Parë turke. Ish-portieri i Laçit në Superligën shqiptare po ndihmon ekipin që të mbijetojë këtë sezon, ndërsa po lufton për veten e tij që të sigurojë Superligën turke edicionin e ardhshëm.

Edhe në ndeshjen e kaluar, që Boluspori e fitoi 1-0 në fushën e Tuzllasporit, djaloshi krutan u tregua vendimtar me ndërhyrjet e tij me reflekse të spikatura. Boluspori është në vendin e katërt nga fundi në Superligën turke duke rrezikuar rënien nga kategoria duke qenë vetëm 4 pikë larg “zonës së ftohtë”.

Në Ligën e Parë të Turqisë, ndërkaq, po shkëlqejnë lojtarët shqiptarë që janë në radhët e Istanbulsporit. Eduard Rroca mbi të gjithë, por edhe Valon Ethemi dhe Kristal Abazaj po ndihmojnë ekipin në luftën për t’u ngjitur në Superligë. Këtë të diel, Istanbulspori fitoi 3-0 në fushën e Eskishehirsporit me shqiptarët që ishin sërish protagonisë. Rroca ka shënuar 6 gola e ka shërbyer një numër të madh asistësh për ekipin e tij deri tani. Istanbulspori ka 46 pikë dhe ndodhet në vendin e tretë, 4 pikë larg dy vendeve të para që të ngjisin një kategori më lart.

Sfidanti.al