Fitore 4-0 e Kukësit, çfarë ishte kjo “prekje magjike” e Josës në rikthimin në Korçë?!

Kanë kaluar disa vjet, por këtë stadium nuk e harron kaq lehtë. Mirel Josa arriti suksese të mëdha në drejtimin e Skënderbeut, por karriera e trajnerit është e tillë, dhe ai u kthye si kundërshtar. Nuk ishte hera e parë pasi e ka bërë me Tiranën, por emocionet mbeten të forta, ndërsa në tribunë u ul presidenti Takaj, bashkë me të cilin krijuan një ekip që sundoi për një kohë të gjatë futbollin shqiptar dhe bëri emër në Europë.

Kthimi i dytë ishte triumfator dhe ndeshja në Korçë nuk pati histori.  Kukësi fitoi 4-0 duke arritur epërsinë me tre gola që në pjesën e parë, e duke pasur një rigjallërim të menjëhershëm në krahasim me javët e kaluara. Miqtë shënuan radhazi me anë të Ibrahimit, Limajt dhe Leirës në pjesën e parë, ndërsa korçarët ishin inekzistentë në fushë.  Pas pushimit shënoi sërish Limaj.

Pas vështirësive që hasi ish-trajneri Skënder Gega dhe zëvendësuesi i tij, Rrahman Hallaçi, a mund të thuhet se ndikoi ardhja e Josës? E vështirë të pohohet pasi tekniku tiranas punoi vetëm për pak ditë me ekipin, ndërsa këtë sezon ka pasur zëra edhe për krizë financiare. Gjithsesi, hapi i parë ishte i mirë dhe tani shpresohet vazhdimësi. Me këtë fitore, Kukësi u kthye në pretendime për t’u kualifikuar sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës, siç ka bërë gjithë këta vjet.

Josa është një trajner me përvojë dhe klubi kuksian ka shumë besim se ai do të dijë ta kapërcejë krizën e rezultateve. Në karrierën e tij, Josa fitoi 4 tituj kampion në Shqipëri me Skënderbeun si dhe u kualifikua në fazën e grupeve të Ligës së Europës, hera e parë për një ekip shqiptar.

Sfidanti.al