Flasim për një klub deri diku konservator, dhe në një krahinë ndër më konservatoret e Gjermanisë, por flasim edhe për një kohë tepër liberale në të cilën jetojmë, të paktën në sferat e mesme dhe të larta. Tek Bajerni i Mynihut kanë vendosur që Manuel Nojer të vendosë në krah këtë fundjavë një shirit me ngjyrat e ylberit dhe kjo jo vetëm për të përkujtuar Ditën e Holokaustit, veçse edhe për të shprehur vullnetin për tolerancë ndaj homoseksualizmit. Pavarësisht se në një Land gjerman me ndikim më të madh të katolicizmit se kudo në Gjermani, sërish toleranca ka arritur nivele të larta, siç ka ndodhur edhe në vetë Vatikanin, me simbolin kryesor vetë Papa Françeskun.
Bajerni ka një arsye më shumë për të luftuar për të drejtat e homoseksualëve, sepse një nga presidentët e tij të parë, i quajtur Angelo Knorr, u dënua nga 107 vjet më parë për homoseksualizëm, sjellje që në Gjermaninë e asaj kohe ishte e dënueshme me ligj. Knorri ishte një studiues i suksesshëm në kërkimet shkencore duke pasur shumë shpikje dhe patenta, por i shpëtoi burgut vetëm për shkak të shëndetit të tij të keq, sidomos mendor. Mamaja e tij kishte vrarë veten dhe babai e kishte braktisur familjen tepër herët. Vetë Angelo Knorri vdiq shpejt (50 vjeç) nga zemra duke pasur një depresion të madh. Rumenige dhe presidenti Hainer e kujtojnë me respekt një njeri që bëri shumë për Bajernin dhe Nojeri do ta nderojë kujtimin e tij me shiritin me ngjyrat e ylberit.
Sfidanti.al