A do t’i dënojë Britania bosët rusë të futbollit, Abramoviç dhe Usmanov?!

Të kuptohemi, është e kotë të marrim vetëm njërën palë e ta “bëjmë telef”. Biznesi dhe politika janë një binom i pandashëm, ndaj na duket tepër gjykim i ngushtë të fajësojmë thjesht dy miliarderë rusë për lidhje me shtetin e tyre, dhe që akuzohen nga lideri i opozitës. Gjithsesi, ky është momenti, pasi Aleksej Navalni akuzoi dy miliarderët ruse, Roman Abramoviç dhe Alisher Usmanov, si njerëzit e ngushtë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Një akuzë që ka ngritur një stuhi politike në Britaninë e Madhe, ku dy miliarderët janë aksionere në klubet e futbollit, Çelsi e Arsenal. Abramoviç madje ka 100 për qind të aksioneve të Bluve, ndërsa Usmanov ka 29 për qind tek “topçinjtë”. Navalni akuzon Putinin se ka dashur ta helmojë dhe ta vrasë, pra Abramoviçi dhe Usmanovi janë bashkëpunëtorët e këtij vrasësi. Kryeministri Boris Xhonson është vënë nën presion për të vepruar, por nuk dihet nëse ai do ta bëjë këtë, pasi investimet e dy rusëve janë gjithashtu të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, sidomos tani pas Breksitit (Brexit).

Sfidanti.al