Më mirë vonë se kurrë, Liverpuli do të marrë një mbrojtës se s’bën!

Ka muaj të tërë që të kuqtë kanë probleme të mëdha në prapavijë. Dëmtimet afatgjatë të Van Dajkut e të Gomezit u shtuan edhe me dëmtimin e Fabinjos, dhe së fundmi edhe të Matipit, që lëndoi tendinet në fitoren në fushën e Totenhemit. Kjo do të thotë se Jurgen Klopi është krejtësisht i zbuluar në qendër të mbrojtjes ku është detyruar të aktivizojë mesfushorë si Fabinjo e Henderson apo të riun Uilliams. Tashmë, “nuk mban më ujë pilafi” dhe Liverpulit i duhen përforcime.

Mediat britanike njoftojnë se Jurgen Klopi pranoi se deri të hënën do të gjejë të paktën një mbrojtës, ndërsa gazetat spekullojnë se kë do të marrë gjermani. Gjatë verës është folur për Upamekanon e Lajpcigut apo Alabën e Bajernit, por Klopi ka nevojë për veprim të menjëhershëm. Të “skanuar” janë mbrojtësi tjetër i Lajpcigut, francezi 21-vjeçar Konate, Duje Çaleta i Marsejës, Manuel Akanji i Dortmundit dhe Ozan Kabak i Shalkes. Do të duhen shpenzime serioze për të marrë sikur njërin prej tyre, por duket se Klopi nuk ka zgjidhje tjetër.

Sfidanti.al