NBA, Lebroni humb duelin në distancë me Klipersat!

Dueli i ekipeve të Los Anxhelosit vazhdoi në distancë, dhe nuk ishte mbrëmje e mirë për “Mbretin e basketbollit”. Lejkërsat u mundën në fushën e Detroitit, 92-107, pra një disfatë “e shëndoshë” e kampionëve. Në krahun tjetër, Klipersat fituan 109-105 në fushën e Majemit.

Lebron pati 22 pikë në humbje, dhe 10 topa në tabela, e 7 asistë, edhe pse mori një vlerësim të dobët. Entoni Dejvis ishte pushim, Kajl Kuzma shënoi 22 pikë e kapi 10 topa në tabela ndërsa Mark Gasol nuk pati asnjë pikë në 25 minuta (!!!), por kapi 9 topa në tabela e shërbeu 4 asistë. Blejk Grifin ishte më i mirë për Detroitin me 23 pikë, ndërsa Ellington shtoi 23.

Çudia ndodhi në Majemi ku Klipersat fituan edhe pse dyshja kryesore, Leonard-Xhorxh, nuk luajti skuadra nga Kalifornia pati -18 pikë, pra po shkonte drejt humbjes por reagoi fort dhe papritur. Gjashtë lojtarë shënuan me dy shifra, ndërsa kosha realizuan të 9-të basketbollistët e aktivizuar. Klipersat dominuan në tabela, por duhet theksuar se edhe Majemi ishte pa disa nga lojtarët kryesorë si Xhimi Batler apo Goran Dragiç.

Këto dy rezultate do të thonë që në krye të Konferencës Perëndimore është ngjitur Juta Xhaz me 14 fitore e 4 humbje, Klipersat kanë 14 fitore e 5 humbje, ndërsa Lejkërsat janë në nivelin 14 fitore e 6 humbje, shumë pranë Denverit, San Antonios dhe Memfisit. Pra misioni për të mbrojtur titullin nuk do të jetë i lehtë.

Sfidanti.al