Kur edhe kampionët e dikurshëm votojnë Vllazninë për titull!

Fitorja në minutën e fundit nuk është gjithnjë nga më bindëset, por padyshim tregon shumë. Vllaznia e Shkodrës e vazhdoi marshimin e saj me një sukses 1-0 në një fushë tepër të vështirë si ajo e Bylisit, dhe përtej pretendimeve të vendasve për ndërhyrje të parregullt në momentin e golit, sërish tripikëshi i takoi skuadrës së trajnerit Tomas Brdariç. Me 35 pikë, kuqeblutë nuk po njohin ndalesë dhe po mbajnë në distancë rivalët që tashmë po e mbledhin veten. Fjalën e kemi për Teutën që fitoi në Kamzë ndaj Kastriotit, ndërsa pritet prova e Partizanit nesër ndaj Tiranës.

A mund të thuhet tani se Vllaznia është favorite për titullin? Kur pyet ish-trajnerin e Tiranës, Emanuel Egbo, ai vlerëson shkodranët për harmoninë dhe u duken si Tirana e tij e vjetshme. Nëse pyet legjendë bardheblu si Agustin Kolën ai voton me të dyja duart kuqeblutë dhe thotë se gjithçka e kanë të merituar dhe jo me fat. “Kanë staf professional dhe drejtim të mirë nga Alban Xhaferi”, – thotë ai. Ndërkaq, gazeta “Panorama Sport” ka marrë mendimin e ish-kampionëve të Shqipërisë të cilët kanë votuar sërish Vllazninë. Janë emra të njohur si Neptun Bajko, Haxhi Ballgjini, Astrit Hafizi, Mirel Josa, Shkëlqim Muça, Sulejman Mema, Bejkush Birçe, Hysen Dedja apo Edmond Liçaj. Pra, Vllazni “ta gëzosh titullin”, por kjo shprehje do të bënte me nerva trajnerin Brdariç.

Sfidanti.al