Ndaj Aston Vilës dihej se asnjëherë nuk do të ishte e lehtë, dhe po ashtu goli i parë në fitoren 2-0 ishte i dyshimtë. i tillë komenti i saktë për sfidën e radhës në Premier Ligë për Mançester Sitin, por megjithatë djemtë e Pep Guardiolës e bënë detyrën. Tashmë, ata kanë 6 fitore radhazi në kampionat, pra një ecuri nga ato që të japin titullin (ndonëse ka kaq shumë javë për t’u luajtur). Çfarë kontrasti me 8 ndeshjet e para në të cilat u arritën vetëm 3 fitore si dhe u pësuan dy humbje, ku veçohet ajo 2-5 në “Etihad” ndaj Leisterit.
Të shkuara, të harruara, do të thoshin pleqtë dhe duket se kështu thotë edhe trajneri katalanas. E gjithë kjo ecuri i shtohet marshimit për në finalen e Kupës së Ligës pas fitores 2-0 në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit me pengesën e fundit në “Uembli” që e ka emrin Totenhem i Zhoze Murinjos. Po ashtu, duhet shtuar kualifikimi nga vendi i parë në grup në Champions, me bilancin 5 fitore, 1 barazim, 0 humbje dhe golat 13-1 në “shoqëri” të Portos, Olimpiakosit e Marsejës.
Gjithsesi, trajneri i Aston Vilës, Din Smith, deklaroi se “goli i parë ishte qesharak, nuk e di sesi mund të jepet një gol i tillë, me lojtarin e tyre që ishte 10 jardë pozicion jashtë loje e pastaj u kthye për t’u marrë topin lojtarit tonë”. “Mendoj se ndeshja kishte VAR, apo jo, – u mbrojt Guardiola, – ata e shqyrtuan. Mendoj se kur arrin 5 apo 6 fitore radhazi kjo tregon shumë”. Bernardo Silva shënoi golin e diskutueshëm në 79’ dhe Ilkai Gyndogan realizoi për 2-0 në 90’ me penallti.
Sfidanti.al