Po nuk shënove do të ndëshkohesh, Juventus ia merr Superkupën Napolit!

Kjo është aksioma e futbollit dhe kampionia e Italisë tregoi se mbetet ende tepër e fortë, sidomos kur vjen puna për ndeshje vendimtare. E bëri ndaj Milanit, nuk ia doli kundër Interit, por nuk mund të gabonte dy herë radhazi, dhe i takoi Superkupa të cilën ia mori nga duart Napolit. Një ndeshje e fortë finale në stadiumin e Rexho Emilias, me pak raste, por që i patën të dyja skuadrat. Hirving Lozano pati dy mundësi të mira për napolitanët, Kristiano Ronaldo lëshoi një gjuajtje të rrezikshme pak mbi shtyllë, përpara sesa vetë portugezi ta dërgonte topin në rrjetë në 64’ me instinktin e golshënuesit të regjur.

Gjithsesi, Napoli pati mundësi të barazonte kur iu akordua një penallti me VAR, por Lorenco Insinje gaboi në 80’, pikërisht atëherë kur duhej të tregonte veten. Kapiteni i të kaltërve e humbi duelin personal me CR7-ën. Në fund, pikërisht në minutën e 5-të shtesë Lozano u ndalua nga Shezni dhe në aksionin pasardhës me kundërsulm, Alvaro Morata shënoi golin e dytë për Juventusin. Kështu përfundoi kjo finale që mund të kishte pasur çdo rezultat, dhe “Zonja e Vjetër” fitoi Superkupën e 10-të në histori.

Sfidanti.al