Rezultate interesante në tri ndeshjet e javës së 14-të të Superligës të luajtura sot. Dy skuadrat e kryeqytetit iu kthyen fitoreve duke u ngjitur në tabelen e klasifikimit. Partizani triumfoi 2-1 në fushën e Skënderbeut në Korçë, pasi e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti ta ruante epërsinë deri në fund. Bardhi dhe Solomon shënuan për ekipin e trajnerit Ilir Daja që ka tani 23 pikë, po aq sa Teuta e vendit të dytë.
Tirana fitoi në stadiumin e saj “Selman Stërmas” ndaj Kastriotit, po me shifrat 2-1. Ndeshja nisi keq për vendasit pasi krutanët kaluan të parët në avantazh, veçse kampionët barazuan në pjesën e parë, dhe shënuan golin e fitores pas pushimit.
E papritura e javës ndodhi në Fier, ku Apolonia vendase mundi Laçin me shifrat 1-0. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro pretendon të paktën kualifikimin për në Europë, por nuk mundi të merrte dot asnjë pikë përballë ekipit të fundit të renditjes. Pas javës së 14-të, Superligën e kryeson Vllaznia me 32 pikë, ndërsa Teuta e Tirana kanë nga 23.
Sfidanti.al