Vllaznia ka fituar sërish, këtë rradhë ndaj një kundërshtari special, siç është Kukësi dhe përveçse ruan një distancë sigurie +9 pikë nga vendi i dytë, po tregon gjithnjë e me më shumë forcë, duke treguar se çfarë duhet ekzaktësisht për t’u bërë një skuadër kompetitive. Fillimisht dikush u ka kthyer dëshirën për të luajtur futboll dhe dikush tjetër ka larguar rrëmujën që rrethonte ambjentin shkodran prej vitesh. Ndërkohë, më e rëndësishmja është, që ky ekip u kthye në fitues nga hiçi, pasi po lëviz në krahun e kundërt të logjikës shqiptare. Që në fillim synuan të ndërtonin një skuadër të thjeshtë dhe kompakte dhe për hir të kësaj strategjie, tashmë janë evidentuar edhe emra të përvetshëm, një pjesë e të cilëve kanë qenë gjithmonë këtu, por asnjëherë në faqet e para të një libri suksesi. Tashmë po flitet gjithnjë e më shumë për Gurishtën, Krymin, apo Kalanë, të cilëve Bërdariç sigurisht që nuk u ka injektuar doza talenti, por në të kundërtën I gjeti futbollistë të talentuar dhe u ofroi një fushë, për të bërë atë që dinë më mirë. Tashmë flitet për Ardit Hoxhajn që u konsiderua si mungesa më e rëndësishme e ndeshjes së të premtes dhe është kthyer në një yll i merkatos së dimrit, por pakkujt i shkon ndër mend që vlonjati ka qenë po këtu, tek Korabi, Ferizaj, apo tek Flamurtari më i keq i historisë, ndërsa ka shënuar vetëm katër gola në katër vitet e fundit.
Ndërkohë që Kukësi është e kundërta e Vllaznisë së sotme. Dekada e fundit që përmban vetëm suksese, nuk është se ka ndikuar shumë tek drejtuesit, për të mos qenë aq arrogant, sa për të injoruar rregullat e thjeshta të futbollit. Prishën në verë skuadrën e vjetshme me një lloj brutaliteti unik, me logjikën që me evolimin e këtij sporti, nuk është më e nevojshme forca e një ekipi, por pasaporta ndërkombëtare e emrave të përvetshëm. Dhe tani na paraqitet një skuadër e përbërë nga futbollistë të dashuruar me veten e tyre që shëtisin në fushë dhe ndjehen të paprekshëm prej talentit që u ka falur Perëndia. Ndërsa përfundimi është që klasi i Ibraimit nuk po u bën shumë punë dhe Kukësi nuk fiton prej kohësh, kurse është Vllaznia, e cila pas çdo ndeshje festoon gati me një ritëm “haka” që e ka shpikur vetë.