Sa pak rekorde i mbeten Mesit pas kalimit të legjendës Pele!

Me këtë rrjetë arriti një tjetër kulm. Lionel Mesi barazoi legjendën Pele për numrin e golave me një skuadër të vetme duke pasur 643 për Barcelonën. Braziliani realizoi po 643 për Santosin nga viti 1956 deri në 1974, ndërsa askush tjetër nuk është si ata. Argjentinasit i duhet edhe një për të qenë rekordmen i vetëm në një nga statistikat më të rëndësishme të futbollit. Gjashtë vjet më parë, argjentinasi kaloi të famshmin Telmo Zarra si shënuesi më i mirë i La Ligës për të gjitha kohët, që kishte arritur në 251. Sot kapiteni i Barcelonës është në shifrën stratosferike 450, ndërsa Kristiano Ronaldo që është i dyti ka 311.

Më herët Mesi kaloi legjendën Gerd Myler që kishte shënuar 525 gola për Bajernin në karrierë. Ai theu gjithashtu rekordin e gjermanit të madh me 91 gola në ndeshjet zyrtare në një vit kalendarik, në 2012, ndërsa Myleri kishte realizuar 85 në 1972. Sezonin e kaluar ai u shpall shënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, duke fituar Këpucën e 7-të të Artë e duke lënë pas të shquarin Telmo Zarra e duke u barazuar pikërisht me Mylerin. Ai ka edhe rekorde të tjerë si 6 herë Topin e Artë të “Frans Futbollit”, apo 6 herë Këpucën e Artë të Europës.

Mesit i mbeten shumë pak yje për të kaluar. Ai ka fituar 10 tituj kampion në Spanjë, dhe i duhen edhe 2 për të arritur rekordmenin Fransisko Gento të Realit, ndonëse nuk dihet nëse do të vazhdojë tek Barcelona. Po ashtu, ai është në një garë të fortë për golin me Kristiano Ronaldon, duke pasur 714 në karrierë ndaj 756 të portugezit që është 1 vit e gjysmë më i madh në moshë se ai. Ky sezon nuk është nga më të mirët për numrin 10, pasi ai ka shënuar vetëm 9 gola, ndërsa Barcelona ka shanse shumë të pakta për të fituar titullin, diçka që u duk edhe në barazimin 2-2 ndaj Valencias këtë të shtunë.

Sfidanti.al