Milani dhe Interi fitojnë dhe vazhdojnë kryesimin në Serinë A!

Pas suksesit të kampionëve pritej reagimi dhe ai erdhi. Milani dhe Interi fituan dhe mbetën mbi Juventusin në renditjen e Serisë A, ndonëse sukseset e tyre nuk lanë atë përshtypje të Ronaldos me shokë. Kuqezinjtë kryesues kaluan një provë të vështirë në fushën e Sasuolos, thuajse një duel direkt, pasi skuadra modeste ishte mbajtur në vendet e larta të klasifikimit deri tani.

Në mungesë të Zllatan Ibrahimoviçit dhe të Kjerit në mbrojtje, gjithsesi skuadra e Piolit e bëri detyrën, një reagim pas dy barazimeve radhazi. Rafael Leao shënoi që në minutën e parë dhe Zelemekers dyfishoi shifrat po përpara pushimit. Goli i Leaos theu rekordin si më i shpejti i shënuar në historinë e kampionatit italian me më pak se 7 sekonda. Në pjesën e dytë, milanistët kontrolluan ndeshjen, ndonëse me vështirësi dhe Sasuolo e shkurtoi diferencën kur nuk i duhej, në minutën e parafundit.

Fitore edhe për Interin që mbajti hapin e vendit të parë, edhe pse nuk shkëlqeu në pjesën e parë. Ashraf Hakimi dhe Romelu Lukaku me penallti ishin autorët e rrjetave në suksesin 2-1 ndaj Specias në “San Siro”, i gjashti radhazi për zikaltërit në kampionat. Skuadra e trajnerit Konte nuk shkëlqeu, duke u dukur e lodhur ashtu si pjesën e dytë me Napolin. Të paktën, kriza e mesfushës u zgjidh me kthimin e Sensit dhe Vidalit, ndërsa Lautaro Martinez e Barela luajtën vetëm në pjesën e dytë. Milani kryeson renditjen me 31 pikë ndaj 30 të Interit, ndërsa Juventusi ka 27.

Sfidanti.al