Pati mendimin se në “Anfild” skuadra më e mirë humbi. Këtë herë vështirë ta përsërisë këtë fjali Zhoze Murinjo, ndërsa Totenhemi i tij pësoi disfatën e dytë radhazi në Premier Ligën angleze, 0-2 ndaj Leisterit madje në Londër. Në stadiumin e shkëlqyer “Uajt Hart Lejn”, të mbiquajturit “gjelat” nuk mundën të dilnim më të fortë sesa ekipi që quhet “i dhelprave”, duke humbur disi kontaktin me Liverpulin kryesues, madje duke zbritur në vendin e katërt.
E tillë është konkurrenca në kampionatin anglez, saqë në vetëm dy ndeshje mund të zbresës nga vendi i parë për të rrezikuar zonën Champions apo edhe Europën. Nuk mund të thuhet se Totenhemi nuk u përpoq, madje derisa Leisteri kaloi në epërsi, ishin vendasit që bënë më shumë dhe patën disa mundësi edhe pse jo të pastra. Patën edhe pretendim për penallti, ndonëse pamjet me ngadalësim treguan se vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë. i drejtë edhe në krahun tjetër kur mbrojtësi i Spërsave Orie gaboi fatalisht duke shkaktuar 11-metërsh.
Xhemi Vardi nuk gaboi në sekondat e fundit të pjesës së parë, ndërsa pas pushimit u shtua edhe autogoli i mbrojtësit Alderveireld në 59’. Skuadra e Murinjos ka tani vetëm 1 fitore në 5 ndeshjet e fundit, ndërsa Leisteri në të kundërt ka 6 fitore në 7 ndeshje jashtë fushe këtë sezon. Trajneri Brendan Roxhers e vlerësoi fitoren si të merituar, duke deklaruar se lojtarët e tij e zbatuan skemën në përsosmëri. Liverpuli kryeson renditjen me 31 pikë ndaj 27 të Leisterit pas 14 ndeshjeve, ndërsa Totenhemi ka 25 pikë.
Sfidanti.al