Mesi e barazon Pelen, por edhe Valencia e barazon Barcelonën!

Të paktën le të vendosen rekorde këtë sezon, se për tituj vështirë të bëhet fjalë. Nuk dihet se çfarë mrekullie duhet të ndodhë tek Barcelona që “gjigandi” të “zgjohet” dhe të kthejë fatet e sezonit, por duket se “letargjia” do të jetë e gjatë. Barazimi 2-2 me Valencian tregoi se katalanasit nuk janë kandidatë për titullin në La Liga, duke marrë vetëm 1 pikë ditën që Atletiko mori 3, ndërsa nuk dihet nëse do të kenë forcë për t’u qenë në zonën e Championsit, pra në katër vendet e para. Në një kampionat ku Atletiko, Reali, Sociedadi, pse jo edhe Vijarreali e Sevilja, janë shumë të fortë, ekipi i Ronald Kumanit duket se e ka humbur rrugën.

Le të krenohen me rekordin e barazuar nga Lionel Mesi. Goli i shënuar nga argjentinasi, pas humbjes së penalltisë, bëri që ai të barazohej me legjendën Pele si lojtarët e vetëm në të gjithë historinë e futbollit që kanë shënuar më shumë gola me fanelën e një skuadre të vetme, 643. Pele e bëri me Santosin, ndërsa Mesi me Barcelonën.

Mohtar Diahabi kaloi Valencian në epërsi në “Kamp Nou”, ndërsa Mesi barazoi në minutën e 4-ët shtesë të pjesës së parë. Pas pushimit, Arauho shënoi për vendasit, por Maksi Gomez barazoi në 69’. Barcelona ka 21 pikë pas 13 ndeshjesh, Atletiko kryeson me 29 në 12 ndeshje, Sociedadi ka 26 (14 ndeshje) dhe Reali po 26 (13).

Sfidanti.al