Lajpcigu ndërpret serinë fituese në Bundesligë, çfarë hapi fals!

Kishte fituar 6 ndeshje radhazi në shtëpi, por tek e shtata u ndal. Lajpcigu nuk e ruajti dot ritmin e deritanishëm, që e kishte bërë pretendent serioz në Bundesligë, dhe të kualifikuar për në turin e dytë të Championsit, në dëm të Mançester Junajtidit. Barazim 0-0 me Këlnin, ku skuadra e “dhive” mundej madje të kishte fituar, pasi pati rast të pastër në fund. Me disa mungesa si Konate, Nkunku e Kluivert, dhe me disa lojtarë të lënë në stol për shkak të lodhjes (Forsberg, Olmo), Lajpcigu e ndjeu diferencën, duke krijuar vetëm “gjysmë raste”.

Skuadra e trajnerit Julian Nagelsman është e fortë në mbrojtje, pasi ka pësuar vetëm 9 gola, më pak se kushdo tjetër në Bundesligë, por e ka të vështirë të shënojë, sepse ka realizuar 24 herë, shumë më pak se Bajerni, por më pak edhe se Dortmundi, Leverkuseni, Shtutgarti, madje edhe Unioni i Berlinit.  Lajpcigu arriti në 28 pikë, ndërsa duhej të kishte 30 në rast fitoreje, duke hedhur një hap fals në luftën për titullin në Gjermani.

Sfidanti.al