Liverpuli siguron kreun në Krishtlindje me “bombardierët” Firmino e Salah!

Sezoni është i gjatë, por momenti është shumë i mirë. Jurgen Klop mund të ndihet i lumtur me formën e skuadrës së tij që sikur është çliruar plotësisht pas fitores në duelin direkt me Totenhemin. Liverpuli shënoi 7 gola pa pësuar asnjë në fushën e Kristël Palasit, duke siguruar kreun e Premier Ligës në Krishtlindje, e duke treguar një nivel të frikshëm. Jo më kot, Kris Uodëll paralajmëroi pas ndeshjes me Totenhemin se “është e frikshme për kampionatin që Liverpuli ende nuk ka arritur formën më të mirë”. Ja se çfarë ndodh kur ekipi i Klopit e arrin këtë nivel.

“U desh të djersisnim shumë në pjesën e parë, – theksoi trajneri gjerman, – Palasi kundërsulmoi rrezikshëm dhe nuk ishte e lehtë të mbroheshim. Në pjesën e parë ne ishim shumë të saktë para portës, ndërsa më pas kontrolluam ndeshjen. Djemtë tanë janë të aftë për gjëra të tilla, por kuptohet që kjo nuk mund të ndodhë çdo javë. Është një periudhë shumë e ngarkuar dhe djemtë e mi mund të jenë krenarë. Tashmë, do të bëjmë një ditë pushim, dhe do të mendojmë për Uest Bromin. Mirë që rregulluam golaverazhin pas rezultatit humoristik ndaj Vilës (2-7)”.

Minamino, Mane e Firmino ishin autorët e golave në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit shënuan Henderson, sërish Firmino dhe dy herë Salah. Mane u duk i pakënaqur që doli nga fusha, kur u fut egjiptiani, por Jurgen Klopi informoi më pas se gjithçka kaloi me qetësi. Liverpuli kryeson Premier Ligën me 31 pikë në 14 ndeshje (9 fitore, 4 barazime, 1 humbje) dhe me golaverazhin 36-19. Asnjë skuadër nuk mund t’i afrohet nivelit të shënimit të kampionëve, ndonëse ata kanë pësuar shumë.

Sfidanti.al