Një 39-vjeçar edhe mund ta bëjë një vrapim të shpejt ashtu si një 20-vjeçar, por do t’i duhet kohë më pas për të marrë veten. Ky është ligji i jetës njerëzore, kur parametrat e organizmit nisin të bien dhe këtë e ndjen edhe një gjigand si Zllatan Ibrahimoviç. Përveç dëmtimeve që po e bezdisin shumë kohët e fundit, legjenda suedeze pranon edhe faktorin “plakje” apo “vjetërim”, ndërsa shpejt do të mbushë “40 pranvera”. “Unë tani lodhem më shpejt sesa dikur, – pohoi ai, – po ashtu, jam duke fjetur shumë, shumë më tepër se më parë”.
Gjithsesi, ai nuk ka ndonjë plan për t’i dhënë fund karrierës, madje në nivele të larta, dhe ky sezon e vërteton se ai është shumë në formë. Ibra ka shënuar 10 gola në Serinë A duke qenë shënuesi më i mirë bashkë me Kristiano Ronaldon dhe Romelu Lukakun e Interit. Jo keq për një moshë të tillë, ndonëse edhe CR7-ta nuk është shumë më prapa, pasi i ka lënë me kohë 35 vite të jetës.
Sfidanti.al