Prag Barcelona-Juventus, ose dueli i madh Lionel Mesi-Kristiano Ronaldo!

Në sfidën e kaluar nuk ishte në fushë. Lionel Mesi nuk e pati përballë Kristiano Ronaldo, ndërsa Barcelona arriti fitoren 2-0 në fushën e Juventusit, por këtë herë do të jetë ndryshe. Superylli portugez u stërvit në maksimumin e mundhshëm për të qenë në formën më të mirë për ndeshjen e fundit në grup në Ligën e Kampionëve, ku Mesi padyshim që do të jetë përsëri. Është hera e parë që dy dominuesit e futbollit botëror do të jenë sy më sy, që kur CR7-ta u largua nga Reali dy vjet e gjysmë më parë, ndërsa kampionët e Italisë udhëtuan drejt Katalonjës me besim.

Edhe pse u mundën 0-2 në Torino, sërish ata besojnë se kohët kanë ndryshuar. Kristiano është kthyer, lojtarët po i kuptojnë më mirë idetë e trajnerit Andrea Pirlo, dhe në Champions janë arritur 4 fitore radhazi. Edhe pse nuk ka mbrojtësit Kielini dhe Demiral, sërish Juventusi është i fortë, ndonëse në Serinë A dhe në Europë ka treguar se lojë në prapavijë vazhdon të mbetet pikë e dobët. Sidoqoftë, mund të ketë optimizëm sepse katalanasit janë në krizë në La Liga.

“Nuk besoj te kriza e Barcelonës, – thotë Pirlo, – sepse kemi parë ndeshjet e tyre, kemi parë udhëtimin e deritanishëm, por nuk duhet të harrojmë se ata kanë lojtarë shumë të fortë, kanë një trajner të ri që po përpiqet të zbatojë idetë e tij, dhe të cilit do t’i duhet pak kohë. Kjo gjë ndodh edhe me ne tek Juventusi. Barcelona është një skuadër e madhe. E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, ku do të duhet të vuajmë, por e dimë se gjithashtu kemi shanset tona. S’kemi gjë për të humbur, do të luajmë hapur”.

Megjithatë, në Katalonjë e ndjejnë se kriza e Barçës është e thellë, jo ashtu siç thotë Pirlo. Pesë fitoret radhazi në Champions duken pa shumë vlerë, pavarësisht suksesit me Juven, kur shikon disfatat në kampionat me Alaveshin apo Kadisin. Shqetësimi më i madh është forma e Lionel Mesit që është më shumë se hija e vetvetes. Për më tepër mungojnë Pike, Ansu Fati, Dembele dhe Sergi Roberto, ndërsa Ymtiti e Arauho gjithashtu janë në dyshim.

“Ne gjithmonë hyjmë në fushë për të fituar, – shprehet Kuman, – duam gjithashtu të luajmë mirë futboll. Duam të dalim në vendin e parë në grup, por kemi vetëm 3 pikë më shumë dhe asgjë më tepër. Fitorja 2-0 në fushën e tyre na jep shanse të mira për të dalë të parët. E vërtetë që kemi pasur vështirësi në La Liga, sepse kemi luajtur me ekipe që kanë luajtur shumë në mbrojtje. Nëse shënojmë gol, gjërat ndryshojnë krejtësisht. Nuk ia vlen të gjejmë fajtorë, por të ndryshojmë faqe, të luajmë më mirë dhe të fitojmë ndeshjet”.

Parashikimet japin Barcelonën si favorite për fitoren, ndonëse gjatë historisë Juventusi edhe ka ditur të fitojë në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al